Veliaj pret kryetarin e Bashkisë së Bolonjës: Rrisim bashkëpunimin mes dy qyteteve
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim homologun e tij, kryetarin e Bashkisë së Bolonjës, Matteo Lepore, me të cilin bisedoi rreth shkëmbimit të eksperiencave mes dy qyteteve. Ai nënvizoi faktin se shumë shqiptarë që kanë zgjedhur të jetojnë në Bolonja, tashmë kanë një histori suksesi atje dhe janë integruar mjaft mirë.
“Bolonja është një shtëpi e dytë për shumë shqiptarë. Më vjen mirë që, edhe kryetari i grupit të këshilltarëve të Bolonjës, Ditjoni, është shqiptar. Jemi në fazën ku shqiptarët janë integruar, dhe qytete si Bolonja, jo vetëm na presin me derë të hapur, por edhe me mendje e zemër të hapur. I kanë bërë shqiptarët të ndihen në shtëpi, të prodhojnë histori suksesi, disa prej tyre janë punëmarrës, disa prej tyre sipërmarrës, disa të tjerë po angazhohen në politikë. Shembulli më ideal i integrimit të një komuniteti emigrantesh është Bolonja, Italia, ku shqiptarët vërtet kanë bërë progres, edhe vërtet janë bërë pjesë e stofit të atij komuniteti”, u shpreh Veliaj.