Vdes aktori legjendar i Tarantinos, u gjet pa jetë në shtëpinë e tij
Hollywood-i është tronditur nga ndarja nga jeta e aktorit të njohur amerikan Michael Madsen, një nga figurat ikonike të filmave të Quentin Tarantinos. Madsen ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare mëngjesin e së enjtes, më 3 korrik, në banesën e tij në Malibu, Kaliforni.
Lajmi është bërë publik nga gazeta britanike The Sun, e cila raportoi se trupi i pajetë i aktorit u gjet pas një telefonate emergjente në 911. Policia e qarkut të Los Anxhelosit mbërriti në vendngjarje dhe sipas të dhënave paraprake, vdekja e tij dyshohet të ketë ardhur nga shkaqe natyrore. Nuk ka prova për ndonjë veprim kriminal.
Menaxheri i tij, Ron Smith, konfirmoi për mediat se shkaku i vdekjes ishte një arrest kardiak.
Michael Madsen ishte një aktor me karrierë të pasur, i njohur për interpretimet e tij në disa nga filmat më të njohur të Tarantinos, përfshirë Reservoir Dogs, Kill Bill: Vol. 1, dhe Once Upon a Time in Hollywood. Me prezencën e tij të fuqishme dhe stilin karakteristik të “të ashpërit”, ai fitoi statusin e një legjende të kinemasë amerikane.
Në një deklaratë për shtyp, përfaqësuesit e aktorit bënë të ditur se ai ishte ende aktiv në industrinë e filmit dhe po punonte në disa projekte të reja:
“Gjatë dy viteve të fundit, Michael Madsen dha një kontribut të jashtëzakonshëm në kinemanë e pavarur, duke përfshirë rolet në filmat e ardhshëm Resurrection Road, Concessions dhe Cookbook for Southern Housewives. Ai mezi priste që kjo fazë e re të fillonte.”