Vdekja tragjike e policit në Prishtinë, viktima babai i moderatores së njohur

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prishtinën këtë të premte, ku një zyrtar policor u gjet i pajetë në banesën e tij. Viktima është identifikuar si Alban Tolaj, 47 vjeç, i cili sipas raportimeve fillestare dyshohet se ka kryer vetëvrasje, ndonëse miqtë e tij hedhin dyshime mbi këtë skenar, duke sugjeruar një vdekje aksidentale.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:45 në rrugën “Ahmet Korenica”, ku forcat policore dhe ekipet mjekësore mbërritën menjëherë, por konstatuan se Tolaj kishte ndërruar jetë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci, konfirmoi nisjen e një hetimi të thelluar për të zbardhur rrethanat e vdekjes.

“Mbështetur në informacionet e para nga vendi i ngjarjes, përkundër që ka elemente që sugjerojnë vetëvrasje, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen dhe me kujdes të shtuar po shqyrton të gjitha aspektet e rastit për ndriçimin e plotë të kësaj ngjarjeje tragjike,” deklaroi Borovci.

Ndërkohë, mediat kosovare kanë konfirmuar se viktima ishte babai i moderatores dhe këngëtares së njohur Elsa Tolaj. Lajmi ka tronditur opinionin publik, ndërsa familjarët dhe miqtë e të ndjerit janë shprehur të pikëlluar nga kjo humbje e rëndë.