Vdekja tragjike e Diogo Jotës/ Sulmuesi i Liverpoolit humbi jetën rrugës për në portin e Santander, mjekët i kishin ndaluar…

Një tragjedi ka goditur botën e futbollit. Diogo Jota, sulmuesi portugez i Liverpoolit, ka ndërruar jetë në moshën 28-vjeçare pas një aksidenti të rëndë rrugor në provincën spanjolle të Zamorës, në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Sipas BBC Sport, Jota kishte kaluar së fundmi një ndërhyrje kirurgjikale të lehtë dhe, me rekomandimin e mjekëve, nuk duhej të udhëtonte me avion. Për këtë arsye, ai kishte planifikuar të kthehej në Angli me traget, për t’iu bashkuar stërvitjeve parasezonale të Liverpoolit që nisnin të hënën.

Itinerari përfshinte një udhëtim me makinë nga Porto drejt portit të Santanderit, në veriun e Spanjës. Fatkeqësisht, në kilometrin 65 të autostradës A-52, në zonën e Sanabrias, automjeti në të cilin ndodheshin Jota dhe vëllai i tij André Silva – gjithashtu futbollist profesionist 26-vjeçar – doli nga rruga dhe përfundoi në flakë.

Sipas “Marca”, dëshmitarët që telefonuan shërbimet emergjente raportuan se makina u përfshi tërësisht nga zjarri, i cili u përhap edhe në bimësinë përreth, duke e përkeqësuar situatën tragjike.

Jota iu bashkua Liverpoolit në vitin 2020 nga Wolverhampton për 44.7 milionë euro dhe që atëherë regjistroi 182 ndeshje, 65 gola dhe 26 asistime me fanellën e kuqe. Ai ishte pjesë kyçe e ekipit që fitoi Premier League në sezonin 2024-25, si dhe FA Cup dhe League Cup në 2021-22. Gjatë karrierës së tij kishte luajtur gjithashtu për Porto, Atlético Madrid dhe Wolves.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by replika.al (@replikealbania)