Vdekja tragjike e Diogo Jotës, Liverpool përjetëson fanellën me numrin 20 në nder të tij

Një lajm i trishtë ka tronditur botën e futbollit dhe veçanërisht tifozët e Liverpoolit. Sulmuesi portugez Diogo Jota humbi jetën tragjikisht të enjte në një aksident rrugor në Spanjë, në moshën 28-vjeçare.

Pas këtij lajmi shokues, klubi i Liverpoolit ka marrë një vendim të jashtëzakonshëm në nder të lojtarit të ndjerë: fanella me numrin 20 do të tërhiqet përgjithmonë, duke mos u përdorur më nga asnjë lojtar tjetër i skuadrës.

Në njoftimin zyrtar, klubi shkruan:

“Numri 20 do të përjetësohet me të drejtë për kontributin e tij si pjesë e skuadrës kampione të sezonit 2024-25 – titulli i 20-të i klubit – me lëvizjen e tij karakteristike dhe golin e fitores përpara Kop-it në derbin e Merseyside të muajit prill, që mbetet goli i fundit i jetës së tij.”

Diogo Jota iu bashkua Liverpoolit në vitin 2020, duke u transferuar nga Wolverhampton për një shumë prej 44.7 milionë eurosh. Gjatë karrierës së tij me “The Reds”, ai zhvilloi 182 ndeshje zyrtare, duke shënuar 65 gola dhe asistuar 26 herë.