Vdekja tragjike e 3-vjeçarit në Shkodër, flet i ati: Djali nuk ndërroi jetë nga ilaçi i minjve, ende nuk di çfarë ndodhi
Babai i 3-vjeçarit që ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës disa ditë më parë ka reaguar publikisht për herë të parë. Samed Hasmegaj, në një intervistë për emisionin People, mohoi zërat se djali i tij ka humbur jetën për shkak të helmimit nga ilaçi i minjve, duke theksuar se as vetë nuk e di çfarë ka ndodhur realisht me të birin.
“Mediat kanë abuzuar me lajmet. Më kanë thënë të afërmit që në media thuhet se djali ka ndërruar jetë nga ilaçi që mund të kem përdorur për minjtë, por kjo nuk është e vërtetë. As vetë nuk e di çfarë ka ndodhur. Në fillim mjekët më thanë se mund të ishte një gjendje gripale, por pres të më thonë më shumë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, burime mjekësore nga QSUT kanë dhënë dyshimet e para, sipas të cilave, si 3-vjeçari që humbi jetën, ashtu edhe motra e tij 7-vjeçare, e cila ndodhet në gjendje të rëndë në pediatrinë e QSUT, mund të jenë helmuar nga përdorimi i ilaçeve kundër minjve. Megjithatë, këto mbeten vetëm dyshime paraprake deri në përfundimin e hetimeve mjeko-ligjore.
Babai i të miturit gjithashtu bëri të ditur se vajza e tij ndodhet ende në gjendje kritike, ndërsa edhe bashkëshortja është shtruar në spital, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.