Vdekja mizore e gazetares ukrainase pas arrestimit nga rusët, pse ata i hoqën sytë, trurin dhe laringun nga trupi! Dëshmitë tronditëse të të burgosurve

Zbulimi tronditës për fundin makabër të gazetares 27-vjeçare nga Ukraina, Viktoria Roskina, ka shkaktuar valë zemërimi dhe neverie në opinionin ndërkombëtar. Roskina u arrestua nga forcat ruse në rajonin e Zaporizhias gjatë verës së vitit 2023 dhe më pas u dërgua në një burg rus.

Sipas një hetimi të publikuar nga The Guardian, trupi i saj iu kthye më 14 shkurt 2024 në një gjendje të tmerrshme, pasi i mungonin sytë, truri dhe laringu.

Autoritetet ukrainase e cilësuan këtë akt si përpjekje të palës ruse për të fshehur provat mbi mënyrën e vdekjes së Roskinës. Edhe pse në trupin e saj ishin të dukshme shenjat e torturës, shkaku i saktë i vdekjes nuk mund të përcaktohej, përfshirë faktin që trupi kishte hyrë në një gjendje mumifikimi.

Ekspertë mjeko-ligjorë që folën për mediat ukrainase shpjeguan se këto pjesë të trupit, sytë, truri dhe laringu, janë thelbësore për të identifikuar shenja të dhunës. “Laringu është një provë e rëndësishme në rastet e mbytjes. Në sy mund të zbulohen hemorragji dhe në tru mungesa e oksigjenit”, shpjeguan ata. Ndër të tjera, u konstatua se edhe kocka hyoide në qafë ishte e thyer, dëmtim që lidhet shpesh me mbytjen.

Trupi i gazetares u kthye pa asnjë identifikim të gjinisë apo të dhënave personale. Në dallim nga 757 trupat dhe mbetjet e tjera të dorëzuara atë ditë, ajo mbante vetëm shenjën “NM SPAS 757”, një kod rus që përkthehet si “mashkull i panjohur”, së bashku me një përshkrim të paqartë mjekësor për dëmtime në arteriet koronare.

Torturat dhe kushtet çnjerëzore në burg

Detaje rrëqethëse për muajt e fundit të jetës së Roskinës u zbuluan përmes mbi 50 intervistave me ish-të burgosur në burgjet ruse, familjarë të të burgosurve, ish-zyrtarë të drejtësisë dhe punonjës të burgjeve që kishin dhënë dorëheqjen të tronditur nga ajo që kishin parë.

Një prej bashkëburgosurve të saj, e liruar në shtator 2023, dëshmoi në video për prokurorinë. Ajo tha se trupi i Roskinës ishte i mbuluar me mavijosje dhe plagë: “Gjatë marrjes në pyetje, e torturuan me elektroshok. E kishin therur me thikë – e pashë vetë: në dorë, në këmbë… një plagë e freskët në parakrah, rreth 3 cm, që e kishte shpërthyer indin e butë. Më tha se një burrë, të cilin e quante ‘i çmendur’, ishte shumë i dhunshëm. Kishte një plagë tjetër prej 5 cm mbi thembër. I lutej: ‘Mos ma prek plagën!’”

Drejt fundit të vitit 2023, Roskina u transferua në një tjetër burg me premtimin për trajtim më të mirë, sipas dëshmive. Por në vend të kësaj, gjendja e saj përkeqësohej çdo ditë. Një tjetër e burgosur tha se ajo kishte mbërritur “nën efektin e barnave të panjohura” dhe kishte filluar të shfaqte shenja të rënda të shqetësimeve mendore.

“Qëndronte e mbledhur në pozicionin si fetus në dysheme, pas një perdeje pranë tualetit, që të mos e shihnin rojat.”
Roskina kishte rënë në peshë deri në 30 kilogramë. “Nuk mund të ngrihej pa ndihmën time. E mbaja për krahësh që të mbështetej te krevati dhe të ngrihej,” tha e burgosura.

Sipas dëshmive, ajo nuk nisi zyrtarisht një grevë urie, por gradualisht refuzonte të ushqehej. Fillimisht tha se po e bente për arsye fetare, më vonë deklaroi se kishte probleme shëndetësore.

Më vonë iu ofruan barna për zemrën, por ajo i refuzoi. Guardian vëren se mbajtja e lëngjeve në inde dhe problemet me zemrën janë simptoma të kequshqyerjes së rëndë. Në qershor, ajo u shtrua në spital nën mbikëqyrjen e gjashtë rojeve të armatosur, një shenjë se autoritetet ruse e konsideronin si “të vlefshme për negociata politike”. Në korrik u kthye në burg me infuzion, ende duke refuzuar ushqimin.

Premtimi i kthimit dhe fjalët e fundit

Vetëm në prill 2024, familja e saj mori konfirmimin e parë zyrtar nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë se Roskina ishte gjallë, në një letër ku thuhej thjesht se “është arrestuar dhe ndodhet në territorin e Federatës Ruse”.

Në fund të gushtit, asaj iu lejua të telefononte në shtëpi. Gjatë bisedës në rusisht me prindërit, u tregua e qetë dhe u tha: “Më kanë premtuar se do të kthehem në shtëpi në shtator”. Kur babai i saj e inkurajoi të hante, Roskina tha fjalët e saj të fundit: “Mirë, ky ishte fundi. Lamtumirë. Mami, babi, ju dua.”