Vdekja e Diogo Jota-s, dy dëshmitarë okularë rrëzojnë versionin e policisë
Hetimet për aksidentin tragjik që i mori jetën futbollistit Diogo Jota dhe vëllait të tij po marrin një tjetër drejtim, teksa dy dëshmitarë okularë kanë hedhur poshtë versionin fillestar të Policisë spanjolle, sipas së cilës aksidenti ndodhi për shkak të shpejtësisë së lartë dhe plasjes së gomës së Lamborghini-t.
Njëri prej dëshmitarëve, një shofer kamioni, ka deklaruar se automjeti i futbollistëve e kishte parakaluar me shumë qetësi, dhe nuk lëvizte me shpejtësi të lartë. Ai publikoi gjithashtu një video ku makina shihet e përfshirë nga flakët. “Unë e kam ndërgjegjen e pastër. Ata nuk po ngisnin shpejt. E dërgova videon mediave sepse po dëgjoja gjëra që nuk ishin të vërteta,” u shpreh ai.
Një tjetër dëshmitar konfirmoi të njëjtën skenë: “Ju jap fjalën, nuk ishin me shpejtësi. E njoh shumë mirë atë rrugë, e bëj çdo ditë. Ishin duke ecur qetësisht. Më pas, vetëm disa metra më tutje, ndodhi tragjedia.”
Ndërkohë, një kamionist tjetër, i cili ndaloi për të ndihmuar dhe për të shuar flakët, tha se kishte tentuar t’i nxirrte nga makina, por ishte e pamundur, pasi automjeti ishte tashmë i përfshirë plotësisht nga zjarri.