Vdekja e 3-vjeçarit në Shkodër, dyshohet se është helmuar me ilaç minjsh/ Reagon drejtori i spitalit: Iu rekomandua shtrimi, por babai i mori në shtëpi
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën, ku një 3-vjeçar ka humbur jetën në spital, ndërsa motra e tij 7-vjeçare ndodhet në gjendje kritike në QSUT. Dyshohet se shkaku i kësaj tragjedie mund të jetë helmimi nga ilaçi kundër minjve, por hetimet janë ende në vazhdim për të përcaktuar rrethanat e sakta.
Drejtori i spitalit të Shkodrës, Senad Halluni, ka dhënë detaje mbi ngjarjen, duke theksuar se fëmijët janë paraqitur fillimisht më 21 shkurt me dyshime për një virozë të stinës. Sipas tij, pas mjekimit të parë, është rekomanduar që 3-vjeçari të shtrohej në spital, por babai ka vendosur ta marrë në shtëpi.
“Të nesërmen, fëmija u soll sërish në spital në gjendje shumë të rëndë, pothuajse pa shenja jete. Pavarësisht përpjekjeve të 5 mjekëve reanimatorë për ta mbajtur në jetë, pas 45 minutash ai ndërroi jetë,” deklaroi Halluni. Ai shtoi se pak më vonë, edhe motra e tij 7-vjeçare u paraqit në spital me të vjella dhe u transportua menjëherë në QSUT për trajtim të specializuar.
Shefja e pediatrisë, Greta Naraçi, tha se 3-vjeçari ka mbërritur në spital në një gjendje shumë të rëndë, me insuficiencë kardiake të avancuar dhe shok kardiak. “Ishte shumë vonë për të marrë masa efektive. Prindërit na siguruan se fëmijët nuk kishin konsumuar asgjë të dyshimtë, por gjendja e tyre e rëndë na vështirësoi edhe marrjen e analizave,” u shpreh ajo, duke shtuar se edhe motra e fëmijës mbërriti me gjyshërit dhe jo me prindërit.
Burime nga QSUT kanë bërë të ditur se dyshohet për intoksikacion nga ilaçi kundër minjve. Për këtë arsye, janë përfshirë ekspertë toksikologë për të përcaktuar shkakun e saktë të helmimit.
Policia e Shkodrës ka konfirmuar se fëmijët ishin dërguar fillimisht në spital më 21 shkurt për trajtim, por pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, janë kthyer sërish në spital të nesërmen. Për fat të keq, 3-vjeçari nuk mundi të mbijetojë, ndërsa motra e tij është në trajtim intensiv në QSUT.
Hetimet vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e vdekjes së fëmijës së mitur. Autoritetet po punojnë për të zbardhur nëse bëhet fjalë për helmim aksidental apo ndonjë shkak tjetër shëndetësor.