Vatikani mbyll Kapelën Sistine, nis përgatitjet për konklavën pas vdekjes së Papa Françeskut
Vatikani ka mbyllur Kapelën Sistine, teksa përgatitjet për konklavën papale kanë hyrë në fazën përfundimtare pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut më 21 prill, në moshën 88-vjeçare.
Papa Françesku u përcoll për në banesën e fundit të shtunën, gjatë një ceremonie madhështore në Sheshin e Shën Pjetrit, ku morën pjesë liderë botërorë dhe qindra mijëra besimtarë. Aktualisht, në Vatikan është shpallur një periudhë nëntëditore zie, në përfundim të së cilës do të nisë konklava për zgjedhjen e Papës së ri.
Konklava pritet të zhvillohet midis datave 5 dhe 10 maj, në përputhje me rregullat dhe traditat e Kishës Katolike, duke sjellë një moment historik të rëndësishëm për të ardhmen e Vatikanit dhe komunitetit katolik në mbarë botën.
Ndërkohë, turistët që arritën të vizitonin Kapelën Sistine të dielën e fundit para mbylljes, u ndjenë me fat që patën mundësinë të shihnin këtë xhevahir artistik të Muzeut të Vatikanit, i cili do të mbetet i mbyllur deri në përfundim të procesit të zgjedhjes së Papës së ri.
“Mendoj se u ndjemë shumë me fat që ishim në gjendje të ishim grupi i fundit i vizitorëve që erdhën sot. Udhëtimi ynë nuk do të kishte qenë i plotë pa parë këtë vend të bukur,” tha Sumon Khan, një turist nga Shtetet e Bashkuara.