Në Gjermani ka edhe më shumë të varfër, nëse merren parasysh kostot e banimit. Sipas një përllogaritjeje të re del një pamje alarmuese e varfërisë në Gjermani.
Rritja e vazhdueshme e çmimit të qirave në vitet e fundit e ka rënduar gjithnjë e më shumë kuletën e gjermanëve. Por qirasë i shtohen edhe shpenzimet për ngrohjen dhe rrymën elektrike. Kjo gjendje bën që sidomos personat me të ardhura të ulta të arrijnë në limitet e tyre financiare. Sipas të dhënave të Shoqatës së Përgjithshme të Barazisë, (Paritätischer Gesamtverband) shumë njerëz në Gjermani shpenzojnë më shumë se një të tretën e të ardhurave të tyre vetëm për qiranë, disa madje më shumë se gjysmën.
Shoqata publikoi së fundmi një studim, në të cilin bëhet një përllogaritjeje e re të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave për të vlerësuar varfërinë në Gjermani. Për herë të parë aty merren parasysh e ardhura që u mbetet qytetarëve pas heqjes së kostove të apartamentit, ngrohjes dhe rrymës elektrike.
Konkluzioni: Nga varfëria për shkak të kostove të banimit janë të prekur 21,2% e popullsisë në Gjermani, që do të thotë 17,5 milionë vetë. “Po të merren në konsideratë kostot e banimit, do të dilte në pah një grup shtesë deri më tani i pa konsideruar prej 5,4 milionë vetësh që jetojnë nën kufirin e varfërisë”, theksohet në studim.
Cilat janë grupet më të prekura?
Në studim janë analizuar edhe grupet më të prekura nga ky fenomen: 21,7 e qytetarëve me vështirësi sociale për shkak të kostove të banimit janë nga mosha 65 vjeç e lart. Por edhe të rinjtë, sidomos ata nga mosha 18 deri në 25 vjeç janë në kufijtë e varfërisë. Kuota e varfërisë tek ky grup është në masën 31%. E lartë është kuota e varfërisë për shkak të kostove të banimit edhe tek familjet me një prind, 36%. Beqarët, sidomos ata në moshën e pensionit po ashtu janë mjaft të rrezikuar, kuota këtu është 41,7%.
Në BE si i varfër apo “i rrezikuar nga përjashtimi social” konsiderohet një person që ka më pak se 60% të të ardhurave ekuivalente mesatare. Në Gjermani sipas Zyrës Federale të Statistikave të prekur nga varfëria janë rreth 12 milionë gjermanë, konkretisht çdo i shtati (14,3%)./DW