Të tjera sulme ndaj bazave ushtarake në Iran, Teherani lëshon raketa në territorin izraelit! Goditen ndërtesa dhe zyra e Microsoft

Izraeli synon sërish objektet ushtarake dhe vendet kërkimore bërthamore. Mbi 60 avionë luftarakë u përdorën në operacion. Irani sulmon me raketa në Be’er Sheva.

Forcat Ajrore të Izraelit kryen një sërë sulmesh në Teheran gjatë natës, duke synuar objekte ushtarake iraniane dhe vende kërkimore bërthamore.

Më shumë se 60 avionë luftarakë u përfshinë në sulme, duke hedhur 120 municione. Sipas Forcave izraelite, nga sulmet u godit gjithashtu edhe selia e projektit bërthamor SPDN.

Sipas IDF, objektivat që ata shënjestruan përfshinin disa vende prodhimi industrial të raketave në Teheran që dikur ishin “zemra industriale e Ministrisë së Mbrojtjes iraniane; vende ushtarake që prodhonin komponentë raketash; dhe fabrika që prodhojnë lëndë të para të përdorura për shkrirjen e motorëve të raketave”.

Edhe Irani ka lëshuar raketa kundrejt Izraelit. Një prej tyre goditi një zyrë të Microsoft në qytetin izraelit Be’er Sheva.

Një nga raketat ra pas selisë qendrore në parkingun e makinave. Sipas mediave lokale, dritaret e ndërtesës u dëmtuan ndërsa të paktën 6 automjete u përfshinë nga flakët.

Një tjetër raketë goditi disa ndërtesa në Be’er Sheva. Raportohet për 5 persona të plagosur.