Ushtronte pa licencë aktivitetin e këmbimit valutor dhe nuk lëshonte kuponë tatimor/ Procedohet një 30-vjeçar në Ksamil

Procedohet një 30-vjeçar në Ksamil pasi ushtronte pa licencë aktivitetin e këmbimit valutor dhe nuk lëshonte kupona tatimorë, si dhe kishte punësuar punonjës të pasiguruar. 30-vjeçari ishte administratori i këtij subjekti.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 98 896 lekë, 368 euro, 26 paund dhe 2 laptopë.Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.Bëhet fjalë për vëllain e Lilo Meras, i arrestuar pas një incidenti që pati me dy punonjës të Qarkullimit Rrugor që i kundërshtoi dhunshëm për vendosjen e një gjobe për parkim të gabuar.

Ushtronte pa licencë aktivitetin e këmbimit valutor dhe nuk lëshonte kuponë tatimor, si dhe kishte punonjës të pasiguruar, procedohet penalisht 30-vjeçari në Ksamil.

Sekuestrohen një shumë parash në lekë, euro dhe paund, si dhe 2 laptopë.

Gjatë veprimeve të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 17.08.2024 në Ksamil, ku një 26-vjeçar u vu në pranga nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë Sarandë, pasi kundërshtoi me dhunë punonjësit e qarkullimit rrugor të Sarandës gjatë ushtrimit të detyrës për plotësimin e procesverbalit të shkeljes rrugore (parkim i gabuar), konkretisht në rrugën “Butrinti”, përballë një subjekti privat në administrimin e vëllait të 26-vjeçarit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, falë bashkëpunimit me qytetarët, kanë marrë informacion se në këtë subjekt ushtrohej aktiviteti i këmbimit valutor pa licencë.

Menjëherë në këtë subjekt është kryer kontroll dhe është konstatuar se shtetasi D. M., administrator i këtij subjekti, ushtronte pa licencë aktivitetin e këmbimit valutor dhe nuk lëshonte kuponë tatimor për shërbimet e ofruara, si dhe kishte punonjës të pasiguruar.

Në vijim të veprimeve procedurale, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar referoi materiale në Prokurori dhe nisi procedimin penal për shtetasin D. M., 30 vjeç, banues në Ksamil.”, thuhet në njoftimin e policisë.