“Urdhri për vrasjen erdhi nga Dubai“/ Shpallet në kërkim një nga ekzekutorët e Gentian Bejtjas, historiku

Kur kanë kaluar mbi 5 muaj nga atentati mafioz që la të vdekur me breshëri plumbash Gentian Bejtjan, në oborrin e banesës së tij, në Larushk të Fushë-Krujës, policia ka shpallur në kërkim ndërkombëtar një tjetër të dyshuar si ekzekutor i 43-vjeçarit. Bëhet fjalë për Flodian Plakun, 41-vjeç, i cili përdor edhe 2 mbiemra të tjerë (Serjani dhe Mamo), pjesë e grupeve kriminale të Vlorës.

Ndaj Plakut  gjykata e Tiranës ka caktuar më 26 korrik masën e sigurisë ‘arrest me burg’ si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’.

Në 2019, ai u arrestua dhe njihet si kreu i një bande që me gomone niste kanabis nga Shqipëria në Brindizi. Droga nëpërmjet korrierëve shpërndahej nga Puglia drejt Romës, Napolit, Milanos dhe Firenzes. Anëtarë e bandës ishin Armand Lushaj, Indrit Hamzaj dhe Julian Aliaj, shkruanin atëkohë mediat italiane.

Për arrestimin e atentatorit, i njohur me pseudonimin ‘Pole Qorri’, policia e Vlorës ka kryer kontrolle në disa vende si dhe në banesë, por nuk është gjetur, ndërsa dyshohet se është në Dubai. Report Tv mëson se grupi hetimor ka dyshime që urdhri i vrasjes është dhënë nga Dubai, ku vijojnë vijojnë hetimet me autoritetet e huaja.

Për largimin e tij, dyshimet u ngritën edhe tek një agjenci udhëtimesh në Lezhë, në zbatim të vendimit të gjykatës së Tiranës, polica ka kryer kontrolle edhe në një agjenci udhëtimesh në Lezhë, ku janë administruar pajisje elektronike dhe dokumente me vlerë për hetimin’- njofton policia.

Vetëm pak ditë pasi u vra Gentian Bejtja, më 19 mars,policia arrestoi në flagrancë Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi, alias Ilir Mançellari, 41 vjeç dhe Edison Haxhiun, 30 vjeç, si të dyshuar për ekzekutimin mafioz.

Ndaj Ilir Beqarajt, i arrestuar më parë për ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’, prokuroria e Tiranës ka bërë rikualifikimin e veprës penale, duke shtuar ndaj tij edhe veprën penale për ‘Vrasje me Paramendim’. Ndërsa Edison Haxhiu, akuzohet për ‘Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje’.

Si ndodhi vrasja e Gentian Bejtjas, çfarë është zbuluar deri tani zyrtarisht nga hetimet?!

Gentian Bejtja, ish-polic dhe eksponent i njohur i botës së krimit, është ekzekutuar pasditen e sotme, 15 mars, në banesën e tij. Një atentat i mirëorganziuar i mori jetën ish-policit të Burgjeve, ndaj të cilit u derdhën breshëri plumbash kallashnikovi.

Tre herë u shpëtoi atentateve, por armiqtë duket se e kishin mbajtur në survejim dhe kanë vepruar kur Bejtja arriti në shtëpinë në Fushë Krujë. Pas 8 muajsh në kërkim nga policia, ai shkoi dje në banesë ku e priste nëna e vetme, por gjeti vdekjen. Ndaj tij është qëlluar me 4 kallashnikovë, teksa ka qenë në serë. Bejtja ishte në kërkim për t’u marrë në pyetje lidhur me atentatin që u bë ndaj tij më korrik 2023.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për Report Tv dhe Shqiptarja.com se Bejtja ka tentuar t’i largohet breshërisë së plumbave, pasi ka pasur njolla gjaku përgjatë disa metrave në vendin ku u ekzekutua.

Pasi derdhën 4 karikatorë kallashnikovi, autorët janë larguar pa lënë gjurmë nga vendi i ngjarjes. Pak pas vrasjes, mjeti i tyre tip ‘Land Rover’ u gjet i shkrumbuar në fshatin Hasan, ku brenda të cilit ndodheshin edhe 4 kallashnikovët, foto të cilën Report Tv e solli ekskluzivisht.

Të paktën 4 persona dyshohet të kenë marrë pjesë në vrasjen e Bejtjas, por do jetë grupi hetimor që do zbardhë dinamikën e plotë të ngjarjes. Forca të shumta policie dhe RENA kanë rrethuar zonën e Fushë Krujës në kërkim të autorëve, por ende nuk ka asnjë gjumë prej tyre. Ndërkohë policia ka shoqëruar në orët e mbrëmjes dhe Valter Bamin i cili u lirua dy muaj më parë pasi mbahej në arrest me burg se u dyshua se kishte marrë pjesë në atentatin që iu Bejtjas në korrik 2023 ku mbeti i vrarë kunati i tij. Pas këtij atentati Bejtja kishte dërguar bashkëshorten dhe dy fëmijët jashtë Shqipërisë.

Kush ishte Gentian Bejtja

Në korrik 2023, i zunë pritë bashkë me dy fëmijët dhe kunatin, Ramazan Sino, i cili humbi jetën. Bejtja ishte një person i njohur për policinë, me precedentë në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës. Ai është hetuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj në 2013 dhe përflitet se ka qenë i pranishëm në momentin e rrëmbimit të Enver Stafukën në 2015Pesë muaj pas krimit të rëndë, policia tregon se nga hetimet doli që autorët iu afruan banesës së Gentjan Bejtjas, baba i dy fëmijëve, me automjetin “Land Rover Discover” me ngjyrë të zezë dhe pasi e vranë, po me këtë automjet u larguan në rrugën Larushkë – Thumanë.

Pas mbikalimit të Fushë Krujës, u kthyen majtas dhe në fshatin Hasan dogjën makinën. Policia thotë se është vërtetuar që autorët u larguan me një mjet “Volksëagen Golf” i zi, pa targë në pjesën e pasme, duke ndjekur itinerarin nga vendi i djegies së automjetit në drejtim të rrugës kryesore Thumanë-Fushë Krujë.

Më pas devijuan djathtas në mbikalimin e Fushë-Krujës në drejtim të fshatit Bubq. “Volkswagen Golf” me targë AB960GG, ishte pronë e Edison Haxhiut, 30 vjeç, nga Miloti por banues në Tiranë. Po kështu, kjo makinë ishte përdorur edhe nga Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, po nga Miloti por me banim në Tiranë.

Mbi Bejtjan në 15 mars u qëlluan 50 plumba, 30 prej tyre fatal, që e prekën në fytyrë e trup duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Dyshohet se Bejtja kishte dijeni për shumë krime të tjera të 10 viteve të fundit. Ishte i dyshuar si i përfshirë në disa atentate, si personi që ka nxjerrë në pritë viktimat, informator apo ndihmës i ekzekutorëve. 42-vjeçari vetë para se të vritej ukishte shpëtuar disa atentateve.

Më 4 Korrik 2023, jashtë ambienteve të shtëpisë iu vra kunati Ramazan Sino, 29 vjeç, u plagos Bejtja si dhe dy djemtë e tij, 10 dhe 13 vjeç. Dyshimet e para ranë mbi Vlater Bamin, por pas 6 muajësh ai doli i lirë për shkak të skadimit të afateve hetimore. Më 9 Janar 2022, Gentian Bejtja u qellua me armë në afërsi të Niklës, por u plagos shoku 31-vjeçar Klodian Stafuka.

Të arrestuar për atentatin ndaj Gentian Bejtjas
Ilir Beqaraj, i akuzuar për armëmbajtje pa leje’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’, dhe ‘Vrasje me Paramendim’.
Edison Haxhiu, i akuzuar për ‘Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje’.
Në kërkim
Flodian Plaku, i akuzuar ‘Vrasja me paramendim’ kryer në bashkëpunim, dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’.