Urdhri i Trump për pezullimin e fondeve në botë, reagon delegacioni i BE-së në Shqipëri: Do të vazhdojmë mbështetjen për reformën në drejtësi

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar pas njoftimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për pezullimin e përkohshëm të të gjitha fondeve të ndihmës së huaj për 90 ditë. Ky pezullim po kryhet në pritje të një rishikimi nga administrata e re.

Në reagimin e tij, delegacioni i BE-së theksoi se Bashkimi Europian do të vijojë mbështetjen për reformën në drejtësi në Shqipëri.

“BE-ja ka qenë dhe do të mbetet në pararojë të dhënies së ndihmës për reformën në drejtësi,” thuhet në deklaratë.

Sipas delegacionit, që prej nisjes së reformës në drejtësi në vitin 2016, BE-ja ka rritur ndjeshëm ndihmën për Shqipërinë, duke ofruar mbi 50 milionë euro asistencë teknike dhe mbështetje buxhetore për ndërtimin e institucioneve të reja.

Ndihma përfshin gjithashtu Mekanizmin e Rritjes dhe Reformës për Ballkanin Perëndimor. Një mbështetje e veçantë është dhënë për SPAK-un, i cili luan një rol kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

SPAK-u ka prodhuar rezultate të prekshme në hetimin e çështjeve komplekse të korrupsionit, ndërsa BE-ja ka investuar mbi 8 milionë euro në projekte si EU4LEA dhe EU4FOCAL për të përforcuar punën e tij.

Në fund, delegacioni i BE-së rikonfirmoi vendosmërinë për të vijuar mbështetjen për reformat në drejtësi dhe forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri.