“Urdhëroi dërgimin e Erion Veliajt në paraburgimin e Durrësit” – Berisha në Kuvend: Nëse i ndodh gjë, do të përgjigjet Edi Rama

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për urdhërimin e transferimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në paraburgimin e Durrësit me qëllim për t’i mbyllur gojën.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha i bëri thirrje Ramës të kthehet urgjentisht në Parlament dhe të ndalojë çdo formë presioni ndaj Veliajt. Ai paralajmëroi se nëse Veliajt, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, apo prokurorëve dhe gjykatësve të përfshirë në këtë çështje u ndodh diçka, përgjegjësia do të jetë e kryeministrit.

“Edi Rama të kthehet urgjent në Parlament dhe të ndërpresë çdo lloj presioni ndaj të burgosurit Erion Veliaj, të cilin e urdhëroi të dërgohet në Durrës që ta trajtojë Xhevdet Troplini. Ai është dërguar atje për ta kërcënuar që të mbyllë gojën. Nëse ndodh më e vogla gjatë këtij procesi, përgjegjës do të jetë Edi Rama”, u shpreh Berisha.

Berisha e konsideroi këtë veprim një formulë të përsëritur të Ramës, duke kujtuar rastin e Lefter Kokës. Ai e akuzoi kryeministrin për frikë dhe veprime të rrezikshme për vendin në këtë moment.