Rrezik në rritje! Ura mbi lumin Mat në aksin e vjetër Lezhë–Milot drejt degradimit total

Ura mbi lumin Mat, që lidh aksin e vjetër rrugor Lezhë–Milot, rrezikon të ketë të njëjtin fat si ura e Zogut, e cila u shemb pak vite më parë. Shoferët që kalojnë çdo ditë në këtë segment rrugor alarmojnë për gjendjen kritike të urës, duke theksuar se mirëmbajtja apo investimet në këtë strukturë mungojnë plotësisht që nga ndërtimi i saj.

Struktura ka shfaqur dëmtime serioze: këmbët mbajtëse janë ekspozuar dhe të dëmtuara, ndërsa hapësirat ndërmjet trarëve lidhës janë zgjeruar aq shumë sa lëvizja e automjeteve është bërë mjaft problematike dhe potencialisht e rrezikshme.

Që prej përfundimit të superstradës Lezhë–Laç, kjo urë ka mbetur në harresë, megjithatë mbetet ende një arterie e rëndësishme për lëvizjen e banorëve dhe mjeteve të transportit të vogël.

Nga ana tjetër, autoritetet lokale në Lezhë thonë se kanë përcjellë prej kohësh shqetësimin në institucionet qendrore, përmes shkresave zyrtare, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete. Banorët dhe përdoruesit e rrugës i bëjnë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të ndërhyjnë menjëherë, për të shmangur një tragjedi të paralajmëruar.