Ura e Ibrit, Osmani: Sigurohemi që të mos ketë konflikte! I drejtohet Stanos: Kur kalon në urat e tua s’i kërkon kujt leje

Në një deklaratë, presidentja Vjosa Osmani atakoi zëdhënësin e BE Peter Stano, duke i kujtuar se kur ai kalon në urat e vendit të tij, nuk i kërkon leje asnjë shteti. Osmani tha se Kosova do të sigurohet që hapja e urës së Ibrit të mos shkaktojë konflikte

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi Kosova duhet të sigurohet që ura e Ibrit në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit e as prani të shtuar të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Ajo refuzon që çështja e Urës të diskutohet me Serbinë në Bruksel, dhe i kujtoi zëdhënësit të BE Peter Stano që ai nuk pyet asnjë shtet kur kalon në urat e vendit të tij.

   “Ura duhet të hapet patjetër, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të jetë e hapur përherë, e jo që kur të hapet të nxitë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. A është në interes       të Kosovës që ne të shohim konflikt mes Policisë së Kosovës dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptarë që pajtohet me këtë. Ne nuk kemi arsye të kemi konflikt me aleatët tanë, ata na           kanë shpëtuar”, tha ajo.

Osmani, ishte në të njëjtën linjë me kryeministrin Kurti, i cili një ditë më parë tha se për këtë çështje do të koordinohet ngushtë me aleatët.

Kosova refuzon kërkesën e Serbisë për rastin e Banjskës

Ura e Ibrit është aktualisht e hapur vetëm për këmbësorë, pavarësisht se gjatë dialogut është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve. Së fundmi, SHBA ka thënë se hapja e saj do të çonte në tensione dhe do të rrezikonte ushtarët e NATO-s.