Universi “dërgon sinjale”! Zbulohet një valë radioje masive nga thellësitë e hapësirës

Një valë radioje gjigante, e regjistruar njëkohësisht nga teleskopët në mbarë botën, po mahnit botën shkencore. Kjo valë vjen nga një kuazar i formuar gjatë 1 miliard viteve të para të universit dhe është më e madhja e zbuluar deri më sot nga kjo periudhë e hershme e kozmosit.

Kuazari, një galaktikë tejet e ndritshme me një vrimë të zezë masive në qendër, është sa dyfishi i shtrirjes së Rrugës së Qumështit dhe ka lëshuar një valë radioje që shtrihet për të paktën 200,000 vite dritë. Për krahasim, një vit dritë është rreth 9.3 trilion kilometra.

Astronomët shpjegojnë se valë të tilla radioje nuk janë të pazakonta në univers, por ato janë të vështira për t’u kapur kur vijnë nga periudha e hershme e historisë së universit, për shkak të sfondit të errët të mikrovalëve të mbetura nga Big Bang.

“Arsyeja që kjo valë është e dukshme nga Toka, pavarësisht largësisë ekstreme, është madhësia e jashtëzakonshme e objektit,” tha Anniek Gloudemans nga “NoirLab” pranë Fondacionit Kombëtar të Shkencës.

Observatorët nga Evropa, Havai dhe Teksasi kontribuuan në këtë zbulim, ndërsa studimi është publikuar në revistën shkencore Astrophysical Journal Letters. Sipas shkencëtarëve, kuazari që lëshon këtë valë radioje u formua kur universi kishte vetëm 9% të moshës së tij aktuale, ose rreth 1.2 miliardë vite pas krijimit.