Uniforma dhe këpucë të reja për Policinë e Shtetit, tenderi kap vlerën e 27 milionë eurove
Policia e Shtetit pritet të pajiset së shpejti me uniforma dhe këpucë të reja, përmes një tenderi publik me vlerë rreth 27 milionë euro.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur këtë të hënë tenderin, me një fond limit prej 2.7 miliardë lekësh, ku pjesa më e madhe e shumës, 1.9 miliardë lekë, do të shkojë për uniformat, gradat, stemat dhe shenjat dalluese të efektivëve.
Pjesa tjetër e buxhetit do të përdoret për këpucët. Në dokumentacionin teknik janë specifikuar edhe sasinë për çdo artikull dhe afatet e dorëzimit.
Prodhimi duhet të organizohet në mënyrë të tillë që punonjësit e policisë të furnizohen sipas sezoneve të verës apo dimrit, në mënyrë që të mbulohen nevojat në kohë. Lëvrimi i artikujve të uniformave verore duhet të kryhet jo më vonë se data 1 Maj të çdo viti dhe lëvrimi i uniformave dimërore duhet të kryhet jo më vonë se data 1 Tetor të çdo viti.
Afati kohor për ekzekutimin e kontratës së parë që do të nënshkruhet brenda Marrëveshjes Kuadër, do të jetë jo më pak se 60 ditë dhe jo me shume së 150 ditë nga lidhja e kontratës. Për çdo rast sasitë e kërkuara në kontratën e parë nuk do të jenë më tepër se 50 % e sasive të pritshme të vitit të parë.
Operatori ekonomik duhet të deklarojë zyrtarisht që afati i garancisë për artikujt që do të furnizojë do të jetë 1 vit për artikujt që e kanë afatin e përdorimit 1 vit dhe të paktën 2 vjet për artikujt që kanë afatin e përdorimit mbi 2 vjet.
Operatori ekonomik fitues, para fillimit të prodhimit do të paraqesë nga dy modele fizike të çdo artikulli të cilët duhet të jenë në përputhje me të gjitha kërkesat e autoritetit kontraktor. Pa miratimin e modelit nga autoriteti kontraktor, i cili është Policia e Shtetit nuk duhet të fillojë prodhimi i kontraktuar, në këtë rast uniforma dhe këpucë për punonjësit e policisë.