Komisionerja e BE, Marta Kos: Shqipëria e meriton të bëhet pjesë e BE, Rama premton një kryeministër të ri pas anëtarësimit
Në një takim me Kryeministrin Edi Rama, Komisionerja për Zgjerimin e BE, Marta Kos, vlerësoi përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe i dhuroi atij një fanellë basketbolli si simbol të angazhimit të tij dhe pasionit për sportet. Ajo përmendi edhe shpejtësinë me të cilën Shqipëria ka ecur përpara, duke theksuar se futbolli luan një rol të rëndësishëm në procesin e integrimit dhe se do të ishte e mrekullueshme të shihte Shqipërinë të ecë me të njëjtën shpejtësi për anëtarësimin në BE.
“Do të ngjitem në malin e Korabit dhe do të doja që të vinit me mua,” tha Kos, duke shprehur dëshirën për të vizituar majat më të larta të Shqipërisë si një simbol i përpjekjeve për të arritur objektivat e BE-së.
Në përgjigje, Kryeministri Rama e përshëndeti dhuratën dhe premtoi: “Nëse do të futemi në BE, do t’ju jap një kryeministër të ri dhe të freskët që do të ngjitet me ju në malin e Korabit.” Ai theksoi se angazhimi i tij për integrimin e Shqipërisë në BE është i plotë dhe falënderoi ekipin e tij, duke përmendur veçanërisht Majlindën dhe Adean, dy figurat kyçe të BE-së për Shqipërinë, si dhe ambasadorin Ferit Hoxha, të cilin Rama e krahasoi me “Lionel Messin” e diplomacisë shqiptare për angazhimin e tij.
Rama i tha Komisioneres Kos se angazhimi dhe puna e përkushtuar e Shqipërisë në fushën e integrimit është një përpjekje e përbashkët dhe theksoi se fokusi mbetet te realizimi i reformave të nevojshme për të çuar vendin përpara në rrugën e tij europiane.
View this post on Instagram