Ultimatumi i Ramës vihet në zbatim, policia bashkiake aksion në lagjen e njohur të Vlorës

Jo vetëm furtunë në Bashkinë e Vlorës me shkarkime drejtuesish dhe paralajmërime, por edhe ultimatum për biznesin vendas në lagjen e vjetër Muradie.

Kryeministri Rama, një ditë më parë, konsumoi një kafe në lagjen turistike të transformuar të Vlorës, por ajo që vuri re ishte mungesa e hapësirës për të kaluar, e zaptuar nga bizneset si bare, kafene dhe restorante.

Kaq ka mjaftuar që të jepet urdhër për lirimin e hapësirës publike në Muradie nga karrige, stola, frigoriferë, çadra etj. Menjëherë, sot në këtë zonë ka zbarkuar policia bashkiake për lirimin e hapësirës publike.

Aktualisht, të gjithë drejtuesit e bizneseve po njoftohen për këtë vendim, dhe më pas do të vijojë largimi i të gjitha objekteve që zënë rrugën. Madje, mësohet se Rama ka dhënë edhe urdhër për kufizime dhe matje, për të përcaktuar saktësisht deri ku duhet të shtrihen hapësirat e bizneseve.