Ultimatumi i Ramës, Tavo: Administrata nuk është për të ngrohur karrigen

Në një deklaratë të fortë, kreu i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, ka theksuar se çdo punonjës shteti duhet ta kuptojë qartë se është në atë pozicion për t’i shërbyer komunitetit dhe qytetarëve – dhe jo për të përfituar rrogën pa dhënë asnjë kontribut.

“Unë jam i parimit që çdo punonjës shteti është aty për të shërbyer. Në momentin që ky kriter bazë nuk përmbushet, ai nuk duhet të qëndrojë asnjë sekond në administratë,” – u shpreh Tavo, duke shtuar se është më radikal se vetë kryeministri në këtë aspekt: “Jo për t’i tundur, por për t’i shkundur fare.”

Tavo theksoi se problematika më e madhe është që shumë punonjës me mbi 8 apo 10 vite në pozicione publike “kanë ngrohur karrigen dhe nuk japin më asgjë”, ndërsa nuk i shërbejnë komunitetit, por thjesht marrin një pagë mujore.

“Që në ditën e parë që kam nisur punë në Bashkinë e Himarës, jam marrë me këtë çështje. Kam ngritur komision për të parë performancën e secilit dhe i kam vendosur të gjithë në provë. Ashtu siç provohemi ne nga elektorati një herë në katër vite, ashtu provohen edhe ata nga administrata,” – tha ai.

Tavo u shpreh se kjo nuk lidhet me zhvillimet e fundit në Vlorë apo bashki të tjera, por është një qëndrim personal dhe parimor për mënyrën se si duhet të funksionojë administrata shtetërore.

“Punonjësi i shtetit duhet ta konsiderojë veten vetëm si shërbëtor të komunitetit dhe të popullit. Kjo është filozofia ime,” – gjatë një interviste në Tv Klan News.