Ultimatum nga kryeministri për zaptuesit në Lungomare: Keni 48 orë të lironi trotuaret, nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë!

Kryeministri Edi Rama ka lëshuar një ultimatum të prerë ndaj pronarëve të bareve dhe restoranteve në zonën turistike të Lungomares në Vlorë, duke i kërkuar që brenda 48 orëve të lirojnë trotuaret e zaptuara në mënyrë të paligjshme.

Përmes një postimi në rrjetin social “X” (ish-Twitter), Rama ka deklaruar se të gjitha llojet e ndërtimeve shtesë si hekurishtet, betonët dhe “pergolat” që kanë dalë jashtë projektit fillestar të Lungomares duhet të hiqen menjëherë.

“Keni 48 orë kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve, betonëve, duke i tërhequr ‘pergolatat’ në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares!”, shkruan kryeministri.

Ai nënvizoi se toka përreth pallateve nuk është në pronësi të ndërtuesve apo bizneseve, por është hapësirë publike që i përket të gjithë qytetarëve.

“Toka nuk ka pronar ndërtuesin e pallatit, por toka rreth pallatit ka pronarë të gjithë banorët, njësoj si të gjitha mjediset e përbashkëta! Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë!”, paralajmëroi Rama.

Postimi i Plotë:

Ky lloj zaptimi në Lungomaren e bukur të Vlorës, i përket një kategorie të re të quajtur “Pergolatë”, e cila i paraprin kërkesës për legalizim me teorinë skandaloze që toka ka pronar ndërtuesin e pallatit, ndërkohë që jo, toka rreth pallatit ka pronarë të gjithë banorët, njësoj si të gjitha mjediset e përbashkëta!

Halli me këto “pergolatat” vlonjate është se janë shtrirë edhe matanë zonës së paraparë nga projekti për vendosje çadrash e karrigesh për shërbimet dhe si në rastin e shenjuar në foto, janë hapur edhe anash pallateve duke rrëmbyer trotuaret, nën sytë e mbyllur të inspektorëve e të drejtuesve të bashkisë në vite!

Tani thirrja ime për të tërë zaptuesit e trotuareve në Lungomare është: Keni 48 orë
kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve, betonëve, duke i tërhequr “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares!

Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë!