“Ul kokën kur njerëzit më flasin në rrugë”/ Grida Duma për të birin: S’dua ta helmoj me toksinat e mendësisë shqiptare

Moderatorja dhe ish-deputetja Grida Duma ka ndarë një rrëfim personal për djalin e saj Darien, gjatë një interviste në emisionin “Goca dhe Gra”, ku foli për raportin mes tyre dhe vlerat që ai përfaqëson si individ.

“E admiroj si njeri, jo vetëm si fëmijën tim. Ai është një karakter me përmasa të jashtëzakonshme”, tha Duma, duke theksuar se është përpjekur të mos e rrisë në varësi nga figura e saj publike. Ajo shprehu shqetësimin për modelin shqiptar, ku fëmijët shpesh perceptohen dhe trajtohen nëpërmjet emrit të prindit.

“Darieni ka vite që nuk shfaqet në publik me mua. Edhe kur ndodh të jemi bashkë në makinë dhe dikush më përshëndet, ai ul kokën dhe merret me telefonin. Ai ka nevojë për hapësirën e tij, siç kam dhe unë timen”, tregoi moderatorja.

Në lidhje me mënyrën e edukimit, Duma u shpreh se nuk ka qenë një nënë e rreptë: “Gjithçka që jam në publik, nuk jam në jetën private. Jam kërkuese, por komode. Dua që shtëpia të jetë vendi më i rehatshëm për një njeri.”

Ky rrëfim i sinqertë i Grida Dumës hedh dritë mbi një aspekt më pak të njohur të jetës së saj dhe mënyrën si ajo e përjeton prindërimin, larg syve të publikut dhe presioneve shoqërore.