Ujqërit “shqyejnë” kokën e Dinamos, FSHF, FIFA E UEFA të hedhin sytë nga … SKANDALI në Korçë
Fitorja me humbjen janë vetëm një fije larg nga njëra-tjetra … edhe në futboll.
Loja më magjike në botë na dhuron emocione çdo ditë e më shumë, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet në Superligën shqiptare. Të paktën këtë e reflektoi 95 minutëshi i luajtur mes Skënderbeut dhe Dinamos. Përballje që dy skuadrat e respektuan duke hyrë në fushë, pasi fituesi dihej prej kohësh. Thashethemet që korçarët do të dilnin me 3 pikë u konkretizuan edhe në realitet. Për më tepër, ajo u bë në mënyrën më të shëmtuar të mundshme.
Ata që e njohin futbollin dhe mbi të gjitha bastet, fitorja 4-1 e Skënderbeut dhuroi plot 5 gola, përmbysje spektakolare nga ana e vendasve dhe opsionin 2/1 (pjesa e parë fitohet nga ekipi udhëtues dhe e dyta nga skuadra pritëse) që në rastin më të keq dhuron minimalisht 20-fishin e shumës së luajtur. Skenari i përpiluar në prapaskenë siç dëshironin të gjithë, përpos tifozëve mori jetë shumë shpejt.
Historia ishte e vulosur që në start
Aktivizimi i futbollistëve të Dinamos së 19-vjeçarëve ishte pikërisht ajo që konfirmoi zërat se Skënderbeu do arrinte të fitonte. Për ta bërë disi interesante ishte fakti që Dinamo shënoi pas 9 minutash lojë, fakt që deri diku prishi “hegjemoninë” e trukimit që kishte kapluar këtë përballje.
Por pavarëisht këtij avantazhi, lëvizjet e futbollistëve të Dinamos në fushë ishin mediokre. Asgjë nuk kishte lidhje me atë që duhet të bënin në fushë … të luanin futboll. Kapitullim në 25 minuta lojë me 4 gola të pësuar, për t’i kthyer në këtë mënyrë reston e kalimit në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Tashmë topi duhet të kalojë natyrisht në kampin e FSHF por edhe UEFA-s e FIFA-s, pasi në rast se vërtetohet që është fiksuar rezultati i një ndeshje të këtyre niveleve, ato që rrëzikojnë janë sigurisht, Skënderbeu dhe Dinamo.