UEFA mendon organizimin e një tjetër Europiani në dy shtete të ndryshme
Ende pa nisur Europiani gjerman, në zyrat e UEFA-s diskutohet vendi organizator i Kampionatit Europian 2032.
Organi qeverisës i futbollit kontinental do të zgjidh këto dilema në muajin tetor, me Italinë dhe Turqinë që mbeten kandidatët e vetëm për të pritur turneun. Por një ide ka lindur së fundmi. Sipas mediave italiane, UEFA po mendon që ky turne të zhvillohet në dy shtetet, për ta bërë akoma dhe më interesante edicionin e 19-të në historinë e kompeticionit.
Bashkëpunimi mes Italisë dhe Turqisë do të ishte një bashkim mjaft i bujshëm edhe nga pikëpamja politike. Turqia ka stadiume të gatshme, ndërsa Italia duhet të ndërhyjë në infrastrukturë ose të ndërtohen nga e para. Sipas parashikimeve, do të nevojiteshin 12 stadiume për të mirëpritur Euro 2032, konkretisht 6 në Itali dhe po aq në Turqi.
Hipoteza është se sfida hapëse të bëhet në stadiumin e Stambollit, “Ataturk” ku u zhvillua edhe finalja e Champions League të këtij sezoni, ndërsa fituesi i ri i Europës do të shpallej në kryeqytetin italian në mitikun “Olimpico”. Nëse do zgjidhej një kandidaturë e përbashkët, kjo nuk do ishte aspak risi.
Deri më tani janë organizuar 3 kampionate Europiane në dy shtete, konkretisht në vitin 2000 nga Belgjika dhe Holanda, ai 2008 mes Austrisë dhe Zvicrës dhe katër vite më vonë nga Polonia e Ukraina. Më interesanti ishte turneu i fundit, zhvilluar në disa prej shteteve kryesore të Europës. Edhe Kupa e Botës 2026 do të luhet gjithashtu në tre shtete: SHBA , Meksikë dhe Kanada.