UEFA me dorë të hekurt! Serbia pa tifozë kundër Shqipërisë
Serbia debuton në “Air Albania” në raundin kualifikues të Botërorit 2026 kundër Shqipërisë.
Një sfidë me tepër interes dhe temp, kjo ndikuar edhe nga historia. Por duket se për të rikthyer qetësinë ka menduar UEFA.
Për shkak të sjelljes së gabuar të tifozëve serb në ndeshjen kundër Zvicrës në Ligën e Kombeve, organizmi Europian ka dënuar me dy ndeshje kombëtaren serbe për të mos pasur mbështetjen e tifozëve në shkallët e stadiumit. Dënim që shlyhet pikërisht në sfidën e 7 qershorit kundër Shqipërisë, teksa mbërriti pak orë para shortit të hedhur në Zyrih.
Në muajin mars, Serbia luan kundër Austrisë raundin play-off të Ligës së Kombeve e më pas ndaj kuqezinjve.
UEFA i ka ndaluar Federatës serbe që të shesë bileta për dy ndeshjet e ardhshme të kombëtares së tyre në transfertë, në garat e UEFA-s. Gjithashtu, është urdhëruar që të mbyllë pjesë të stadiumit për dy ndeshjet e ardhshme që do të zhvillojë në shtëpi.
Gjoba totale që Serbia ka marrë është plot 173 mijë euro. Kjo është e disata herë që Federata serbe dënohet për thirrje raciste, apo sjellje të tilla anti-shqiptare. Në sfidën me Zvicrën, tifozët serb tentuan të digjnin flamurin shqiptar. Ndërkaq, përballja e kthimit mes Shqipërisë dhe Serbisë do luhet më 11 tetor në Beograd.