U zhduk në mënyrë misterioze, gjendet pas 8 ditësh trupi i pajetë i babait të dy fëmijëve në Berat

Pas 8 ditësh kërkime intensive, është gjetur trupi i pajetë i 63-vjeçarit Engjëll Kanani, i cili ishte raportuar i zhdukur në mënyrë të mistershme. Kanani dyshohet se ka humbur jetën nga një infarkt, ndërsa po peshkonte pranë lumit Vjosë. Trupi i tij u gjet në tokat e Kafarajt, larg vendit ku kishte nisur peshkimi.

Zhdukja e 63-vjeçarit u raportua nga miku i tij, me të cilin prej tre vitesh ushtronin peshkim amator në zonën e Kashishtit. Sipas dëshmisë së mikut në polici, dy shokët kishin rënë dakord të takoheshin pas peshkimit, por Kanani nuk u paraqit në vendtakim.

Alarmi për zhdukjen e tij u ngrit pasi familjarët nuk arritën të kontaktonin me të. Telefoni i tij mbeti i hapur për 24 orë pas zhdukjes, por askush nuk përgjigjej ndaj thirrjeve.

Engjëll Kanani, baba i dy fëmijëve, ishte një banor i Beratit, i njohur për pasionin e tij për peshkimin. Policia po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, por paraprakisht dyshohet se infarkti mund të ketë qenë shkaku i vdekjes.