U zgjodh kryetar i komanduar i Bashkisë së Himarës, Bollano: Vij me një përgjegjësi të madhe
Arqile Bollano është zgjedhur kryetar i Komanduar i Bashkisë së Himarës, në mbledhjen që u mbajt pasditen e kësaj të premte. Bollano ishte në garë me Pervin Gjikuria, i cili u tërhoq nga gara pak minuta para mbledhjes.
Në një prononcim për mediat pas zgjedhjes si kryetar i komanduar, Bollano u shpreh se nuk mund të parashikojë nëse edhe ai do të dorëhiqet njësoj si paraardhësja e tij, por theksoi se do të bashkëpunojë me të gjithë.
Bollano: Falenderoj Këshillin Bashkiak për bashkimin që ka. Do mundohem të jem sa më shumë bashkëpunues. Edhe me ata që nuk më votuan. I jam mirënjohës atyre. Unë jam vazhdimësi e bashkisë dhe kemi rrugë për të bërë. Nuk ka nevojë për llafe, ka nevojë vetëm për punë.
Që kushdo që të vijë në Himarë të ndjehet i kënaqur. Pavarësisht kundërshtimeve unë vij me një përgjegjësi të madhe. Nuk mund të parashikoj nëse do të dorëhiqem njësoj si paraardhësja ime”.
Zgjedhja e Bollanos erdhi pas dorëheqjes së kryetares së komanduar Blerina Bala, e cila qëndroi në këtë detyrë për 2 muaj. Ajo paraqiti dorëheqjen të mërkurën dhe njoftoi se largohet nga detyra për arsye personale. Bala mori detyrën e kryetares pas arrestimit të Jorgo Goros me akuzën e tjetërsimit të dy pronave. Ndërkohë kryetari i zgjedhur më 14 maj 2023 për bashkinë e Himarës Fredi Beleri ndodhet në burg për blerje votash.