U vra nga i ati në Tiranë, nëna e palestinezës pritet të vijë në Shqipëri, të dëshmojë për krimin tronditës

Nëna e palestinezës 24-vjeçare, Rayyan Alwan, e cila u vra mizorisht nga babai i saj, Fadi Alwan, në një apartament me qira në Tiranë, pritet të mbërrijë në Shqipëri për të dhënë dëshminë e saj mbi krimin që tronditi opinionin publik.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazetarja Klodiana Lala, gruaja ka kontaktuar me autoritetet shqiptare dhe ka konfirmuar se do të vijë për të bashkëpunuar me hetuesit. Dëshmia e saj pritet të ndihmojë në zbardhjen e motiveve të vrasjes, si dhe për të hedhur dritë mbi arsyet që shtynë Fadi Alwan të udhëtonte nga Gjermania drejt Shqipërisë dhe të ekzekutonte vajzën me goditje thike.

Trupi i Rayyan Alwan, i cili ndodhet ende në morgun e Tiranës, nuk është tërhequr nga asnjë familjar deri më tani, edhe pse nëna e saj ka shprehur interes për të ardhur në vendin tonë.

Ngjarja ndodhi më 27 shkurt në rrugën “Gjon Muzaka”, ku trupi i pajetë i 24-vjeçares u gjet nga pronarja e apartamentit të dhënë me qira. Sipas hetimeve, babai dhe vajza kishin mbërritur në Shqipëri më 19 shkurt dhe ai u largua nga vendi tre ditë më pas, më 22 shkurt, duke ndjekur një itinerar që përfshinte Greqinë dhe Amsterdamin, për të përfunduar më pas në Liban, ku aktualisht dyshohet se fshihet.

Fillimisht, babë e bijë u dyshuan si çift për shkak se ishin prezantuar si të tillë dhe kishin fjetur në një krevat të vetëm. Por më vonë, autoritetet gjermane konfirmuan se bëhej fjalë për marrëdhënie prindërore..