U vra nga biznesmeni italian, zbulohet identiteti i hajdutit shqiptar! Trupi i tij u fut në një fuçi vere e më pas u gropos…
Është zbardhur identiteti i të riut shqiptar që u vra nga një biznesmen italian pas një tentative për grabitje në Centola të Italisë. Viktima është 26-vjeçari Rivaldo Rusi, pjesë e një grupi prej tre shqiptarësh që tentuan të vidhnin në vilën e sipërmarrësit Aurelio Valiante, 60 vjeç.
Sipas autoriteteve italiane, Valiante ka qëlluar disa herë me një pushkë gjuetie, duke vrarë në vend Rivaldo Rusin dhe duke plagosur rëndë një tjetër nga hajdutët. I treti arriti të largohej. Trupi i pajetë i të riut shqiptar u fsheh fillimisht në një fuçi vere, më pas u transportua me makinë dhe u gropos në një zonë të izoluar në fshatin San Severino di Centola, disa kilometra larg vendit të ngjarjes.
Zbulimi i trupit u bë nga vetë biznesmeni, i cili, i rrethuar nga rreth 50 shqiptarë – të afërm dhe miq të viktimës dhe të plagosurit që kërkonin hakmarrje – u paraqit në Prokurori së bashku me avokatin e tij, Antonello Natale. Gjatë marrjes në pyetje, Valiante pranoi se kishte qëlluar ndaj grabitësve dhe kishte fshehur trupin e pajetë të Rusit.
Hajduti tjetër i plagosur ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin Cardarelli të Napolit dhe është arrestuar nga autoritetet italiane. Ai rezulton me precedentë penalë dhe ka qenë në arrati për vepra të mëparshme në Toskanë. Pasi gjendja e tij të përmirësohet, pritet të merret në pyetje për të dhënë versionin e tij të ngjarjes së ndodhur të dielën në mbrëmje.
Dinamika e plotë e krimit mbetet ende e paqartë, pasi hetuesit duhet të përcaktojnë nëse të shtënat ndodhën gjatë përleshjes, apo në momentin që grabitësit po largoheshin nga vendi i ngjarjes.
Në vendin ku u gjet trupi, ndodheshin edhe gruaja dhe vjehrra e të ndjerit, të cilat reaguan me dhimbje:
“Ai bëri një gabim, por nuk duhej të kishte vdekur kështu. U varros si kafshë. Na la një fëmijë pa baba.”