Vrasja në Fier/ Menaxheri i pastiçerisë ku punonte 19-vjeçari: Nuk e prisja, Grei ka qenë në momentin dhe vendin e gabuar
Ngjarja e rëndë që ka ndodhur ditën e djeshme në Fier, ku ka mbetur i vdekur 19-vjeçari Grei Bihuci, i qëlluar me thikë nga 18-vjeçari Florian Muka ka tronditur mbarë opinionin publik.
19-vjeçari ishte student i TIK dhekamarier në një pastiçeri. Në lidhje me ngjarjen e rëndë ka reaguar Menaxheri i pastiçerisë ku punonte Bihuci, Romeo Dervishi, i cili në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin e mëngjesit të Euronews Albania, u shpreh se 19-vjeçari prej dy vjetësh ishte në marrëdhënie pune.
Ai theksoi se të riun e njihte më përpara, pasi ky i fundit merrej edhe me futboll, duke theksuar që nuk e priste që ai të futej në një konflikt.
“Grei ka që dy vjet që është në marrëdhënie pune. Grein e njihja dhe më përpara, e njihja dhe me marrëdhënie me futbollin. Nuk e prisja që ai të futej në konflikt të tillë, besoj se ka qenë pre e atij momenti. Ka qenë në momentin e gabuar. Personin tjetër nuk e njihja. Grei ka qenë thjesht në vendin e gabuar”, tha ai.Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se sherri mes të rinjve ka nisur fillimisht në rrjetet sociale për të degraduar më pas në përplasje fizike, deri në përdorimin e armëve të ftohta.
Gjatë përleshjes, është futur për t’i ndarë edhe një 20-vjeçar i cili ka marrë plagë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.