U vetëplagos me armë zjarri, por në spital deklaroi se … Arrestohet 37-vjeçari në Lushnjë

Një 37-vjeçar është paraqitur në spitalin e Lushnjës për të marrë mjekim  me pretendimin se ishte plagosur me mjet prerës ndërkohë që ishte vetëplagosur në makinë me armë zjarri të cilën e posedonte pa leje dhe për pasojë është është arrestuar.

Sipas policisë në pranga kanë rënë edhe vëllai I.M., 33 vjeç dhe shoku i tij F.M., 40 vjeç.

Gjatë kontrollit të kryer blutë gjetën dhe sekuestruan 2 fishekë dhe 1 predhë armësh zjarri.

Njoftimi i policisë:

Pas njoftimit të spitalit të Lushnjës, se një shtetas i dëmtuar në këmbë, kishte shkuar për të marrë mjekim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë nisën hetimet dhe si rezultat i tyre, zbardhën rrethanat e rastit. Në përfundim të veprimeve hetimore u vunë në pranga, shtetasi i dëmtuar, A. M., 37 vjeç, si dhe vëllai i tij, shtetasi I. M., 33 vjeç, dhe shoku i tij, shtetasi F. V., 40 vjeç.

Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 37-vjeçari është vetëplagosur aksidentalisht, në automjet, me një armë zjarri, të cilën e posedonte pa leje. Për të penguar zbulimin e së vërtetës, ky shtetas ka deklaruar në spital, se është dëmtuar aksidentalisht me mjet prerës. Aktualisht, ky shtetas është në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.

2 shtetasit e tjerë u arrestuan sepse dyshohet se kanë fshehur automjetin ku u vetëplagos shtetasi A. M., si dhe kanë mbështetur deklaratën e rreme të tij.

Gjatë kontrollit në automjetin e gjetur nga Policia, u gjetën dhe sekuestruan 2 fishekë dhe 1 predhë armësh zjarri.

Në drejtimin e Prokurorisë së Fierit, po punohet për të dokumentuar me prova ligjore, të gjitha rrethanat e këtij rasti.