U tjetërsua me dokumente të falsifikuara, konfiskohet pronë në bregdetin e Sarandës me vlerë 15 milionë euro! Dënime me burg për të pandehurit

Gjykata ka vendosur konfiskimin e 7 sipërfaqeve të mëdha toke buzë detit në Sarandë, pas hetimeve të Prokurorisë së Sarandës, duke ia kaluar ato në favor të shtetit. Këto prona, me një sipërfaqe prej 6640 m² dhe vlerë tregu rreth 15 milionë euro, ishin tjetërsuar përmes dokumenteve të falsifikuara.

Në qershor të vitit 2022, Prokuroria e Sarandës, e drejtuar nga Kledian Llaho, kërkoi arrestimin e 10 personave të dyshuar për “falsifikim dokumentash”, “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe “shpërdorim detyre”. Të dyshuarit kishin pajisur truallin me certifikata të rreme pronësie.

Në përfundim të procesit, Gjyqtari Alban Veçani vendosi dënimin e pesë të pandehurve:
• Fredi Merkuri, Valter Llomi, dhe Arhondia Caraj u dënuan me nga 1 vit deri në 1 vit e 2 muaj burgim.
• Behar Mucobega u dënua me 2 vjet burgim me kusht për 4 vite.
• Aleko Anagnosti, për “shpërdorim detyre”, u dënua me 2 vjet burgim.

Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pronave të përfituara me dokumente të falsifikuara.

Nga totali i 10 mijë m² truall, një pjesë e sipërfaqes vijon të jetë nën sekuestro, ndërsa hetimet për të dyshuarit e tjerë janë ende në proces.

Në tre vitet e fundit, Prokuroria e Sarandës ka kërkuar sekuestrimin e rreth 15 mijë m² truall buzë detit në Sarandë dhe Ksamil, të dyshuara si prona të përfituara në mënyrë të paligjshme.