U shpall në kërkim për mishin e kontaminuar me salmonelë, ndalohet importuesi Arben Goxha

Policia e Tiranës ka ndaluar shtetasin Arben Goxha, 50 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për importimin e disa tonëve mish pule që rezultoi i infektuar me bakterin e rrezikshëm të salmonelës.

Pas ndalimit, në konsultim me prokurorinë, është vendosur që Goxha të procedohet në gjendje të lirë. Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë ushqimore, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar përgjegjësinë penale dhe rrjedhën e produktit të kontaminuar.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Goxha po përballet me akuzën për “Importimin, prodhimin, shitjen dhe ruajtjen e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.

Nën hetim është dhe pronari i kompanisë, Mondi Goxha, si dhe 3 inspektor të AKU.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme hetimore, ndërkohë që ende nuk është bërë e ditur nëse mishi i kontaminuar është tërhequr plotësisht nga tregu apo nëse janë identifikuar të gjitha pikët e shpërndarjes.