U rizgjodh si kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, si arriti Mike Johnson të sigurojë votat!
Mike Johnson u rizgjodh kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të premten pas një raundi të gjatë votimi që vuri në dukje ndasitë e vazhdueshme mes Partisë Republikane në Kongres.
Fillimisht ai u duk se nuk arriti të siguronte votat që i duheshin për të mbajtur rolin e udhëheqësit, por dy republikanë, që fillimisht nuk mbështetën atë, ndryshuan qëndrim duke votuar për të, pas më shumë se një orë e gjysmë negociatash. Ai u rizgjodh me 218 vota, minimumi i votave të nevojshme.
Republikanët e kontrollojnë Dhomën e Përfaqesuesve me një shumicë të ngushtë 219 -215.
Votimi ishte një provë e hershme mbi aftësinë e Partisë Republikane për të qenë e bashkuar ndërsa synon të çojë përpara agjendën e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për shkurtim të taksave dhe forcim të sigurinë kufitare. Procesi po ashtu vuri në provë ndikimin e zotit Trump në Kapitol, ku një grusht republikanësh kishin shfaqur dëshirën për ta sfiduar.
Republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve janë përballur me ndasi të brendshme gajtë dy vjetëve të fundit.
Dy vjet më parë, zoti McCarthy u zgjodh në krye të Dhomës së Përfaqësuesve pas 15 raundesh votimi.
Në këtë legjislaturë të re, republikanët do të kenë edhe kontrollin e Senatit, që deri më tani ishte mbajtur nga demokratët.
Republikanët do të kenë shumicën 53 – 47, shumë më pak se 60 votat që nevojiten për miratimin e pjesës së më të madhe të akteve ligjore.
Tradicionalisht, 100 ditët e para të Presidencës dhe Kongresit të ri paraqesin një periudhë për një agjendë legjislative ambicioze.