U raportua si ngjarje aksidentale/ Çfarë fshihet pas djegies së automjetit në Unazën e Re?

Detaje të reja janë zbardhur  nga djegia e automjetit në zonën e Unazës së Re, e cila u raportua si ngjarje aksidentale.

Pas hetimeve të kryera, policia arriti në përfundimin se shtetasi F.T. dhe M.S., të dy banues në Maqedoninë e Veriut, i kanë vënë zjarrin makinës së shtetases Xh.T.

Të dy shtetasit janë shpallur në kërkim. Mësohet se krimi ka ndodhur për motive të dobëta.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Fire”, nga Komisariati i Policisë Nr. 6.

Zbardhet dhe dokumentohet, me prova ligjore, djegia e një automjeti në zonën e Unazës së Re, e cila fillimisht u raportua si ngjarje aksidentale.

Shpallen në kërkim dy shtetas nga Maqedonia e Veriut, si autorë të dyshuar të kësaj ngjarje.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të veprimeve hetimore të thelluara për një djegie automjeti të ndodhur më datë 04.01.2024, në rrugën “Astrit Losha”, e cila fillimisht u raportua si ngjarje aksdentale, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Fire”.

Në kuadër të tij u bë shpallja në kërkim e shtetasve F. T., 37 vjeç, dhe M. S., 27 vjeç, të dy banues në Maqedoninë e Veriut.

Nga veprimeve hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 04.01.2024, në rrugën “Astrit Losha”, për motive të dobëta, kanë djegur automjetin e shtetases Xh. T.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.