U raportua i zhdukur, gjendet trupi i pajetë i 26-vjeçarit në lumin Drini i Bardhë

Trupi i pajetë i një 26-vjeçari është gjetur sot në lumin Drini i Bardhë, në afërsi të urës së fshatit Rugovë. Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Sot, më 14 janar 2025, rreth orës 08:20, policia është informuar se një qytetar ka vërejtur një trup të pajetë në lumin Drini i Bardhë, pranë urës së fshatit Rugovë. Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren dhe zyrtarë nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë konstatuar praninë e një trupi të pajetë,” tha Bytyqi.

Pas identifikimit të viktimës, u konfirmua se bëhet fjalë për Arban Hisarin, i lindur më 5 qershor 1998, i cili ishte raportuar i zhdukur nga familjarët. Në trupin e tij janë gjetur dokumente personale që përputheshin me identitetin e tij, ndërsa edhe rrobat e viktimës përkonin me ato që kishte veshur ditën kur u raportua i zhdukur.