U prezantua si bamirëse për ndihma sociale, arrestohet 33-vjeçarja! Mashtronte qytetarët për kredi, i merrte kartat e ID dhe…

Një 33-vjeçare me emrin Donika Curri është arrestuar nga Policia e Lezhës, pasi u kishte marrë qytetarëve kartat e identitetit me premtimin e ndihmës nga një shoqatë bamirësie dhe më pas përfitonte kredi në emrin e tyre.

Duke u prezantuar si përfaqësuese e një organizate për ndihmën e nënave me fëmijë të mitur, Curri mashtronte viktimat, ndërsa kreditë i përfitonte në institucione të ndryshme financiare dhe fondet përfundonin në një llogari të administruar prej saj.

Skema u zbulua pas 16 kallëzimeve dhe kontrolleve policore që zbuluan dokumente dhe transferta bankare komprometuese.

Njoftimi i policisë

Drejtoria Vendore e Policisë në Lezhë ka finalizuar operacionin e koduar “Kredia”, duke vënë në pranga një 33-vjeçare të dyshuar për mashtrim financiar me të dhëna personale të disa shtetaseve.

Sipas hetimeve paraprake, shtetasja D. C., banuese në Tiranë, prezantohej si përfaqësuese e një shoqate bamirësie për nëna me fëmijë të mitur. Ajo mashtronte viktimat duke u kërkuar fotokopje të kartës së identitetit me premtimin e dhënies së ndihmës mujore. Më pas, duke përdorur të dhënat e tyre personale, aplikonte dhe përfitonte kredi në institucione të ndryshme financiare.

Operacioni policor është rezultat i administrimit të shpejtë të 16 kallëzimeve të mbërritura nga qytetare të ndryshme që ranë pre e kësaj skeme mashtrimi.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente bankare që pasqyrojnë transfertat e parave të përfituara nga kreditë, të cilat ishin derdhur në një llogari të administruar nga vetë e dyshuara.

Policia njofton se hetimet vijojnë për të dokumentuar tërësisht skemën kriminale dhe për të identifikuar të mundshëm bashkëpunëtorë të saj.