Anila Prendushi, gruaja 44-vjeçare e plagosur me armë zjarri nga partneri i saj në Shkodër, është nisur drejt Tiranës për mjekim më të specializuar, për shkak të plagëve të marra. Ngjarja e rëndë ndodhi këtë paradite, kur 34-vjeçari Kolë Manaj e qëlloi atë me armë dhe më pas i dha fund jetës.
Sipas informacioneve të deritanishme, çifti kishte pasur konflikte të vazhdueshme ditët e fundit, ndonëse shkaqet e tyre mbeten ende të paqarta. Gjatë pesë viteve të bashkëjetesës, Manaj dhe Prendushi postonin shpesh në rrjetet sociale momente së bashku, duke lënë përshtypjen e një marrëdhënieje të lumtur. Në një prej postimeve në “TikTok”, ata kishin shkruar: “Nëse e do fort, mos hiq dorë dhe mos u lësho për asnjë lloj arsye në botë”.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të zbuluar më shumë rreth motiveve të kësaj tragjedie.