U lëshuan 52 urdhër-arreste, Altin Dumani: U godit një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri!
Një nga operacionet më të mëdha ndërkombëtare është zhvilluar mes Shqipërisë dhe Italisë, duke çuar në lëshimin e 52 urdhër-arresteve, ku një pjesë janë ekzekutuar në vend dhe pjesa tjetër në shtetin fqinj.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një konferencë për mediat, konfirmoi se është goditur një grup kriminal nga më të fuqishmit në Shqipëri, i dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të drogave të forta dhe pastrim parash.
Dumani u shpreh se operacioni ishte rezultat i hetimeve të thelluara dhe bashkëpunimit institucional, ndërsa falënderoi të gjithë aktorët për përfshirjen dhe profesionalizmin.
“Është arritur t’i jepet një goditje e fuqishme një prej grupeve kriminale më të fuqishme në Shqipëri, për të cilën ka dyshime të forta se ishte i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogave të forta dhe në pastrimin e parave.
Ky operacion, i mbështetur nga hetimet e thelluara dhe shkëmbim efektiv informacioni ndërinstitucional, është dëshmi e asaj që mund të arrihet kur institucionet e drejtësisë dhe strukturat e zbatimit të ligjit bashkëpunojnë me profesionalizëm dhe besim.
Shpreh mirënjohjen për prokurorët e SPAK, hetuesit e BKH, Policinë e Shtetit dhe partnerët italianë që sot ndodhen mes nesh dhe kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.
Falënderim për Eurojust dhe Europol për mbështetjen e dhënë gjatë hetimeve të kryera”, përfundoi Altin Dumani.
View this post on Instagram