U kap me 19.4 kg kanabis në valixhe në Rinas, dëshmia e 39-vjeçari: Pranova 2 milionë lekë për ta sjellë nga Tajlanda në Tiranë
Dhimitër Shehu, 39 vjeç, nga Tepelena, është arrestuar nga njësia Antidrogë e Tiranës pasi dyshohet për përfshirje në një rast trafiku ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Shehu u kap teksa përpiqej të sillte në Shqipëri një valixhe me kanabis me përqindje të lartë të substancës THC, e nisur nga Tajlanda përmes një tranziti në Dubai.
Sipas burimeve zyrtare, arrestimi i tij u bë pasi autoritetet kishin marrë informacione për një ngarkesë të dyshimtë. Në aeroportin e Rinasit, policia e ndaloi 39-vjeçarin, duke e informuar se bagazhi i tij ishte ndaluar më parë në Emiratet e Bashkuara Arabe nga autoritetet lokale. Pak ditë më vonë, kur valixhja mbërriti në Shqipëri dhe rezultoi të përmbante drogë, ndaj tij u ngrit akuza për trafik të mirëfilltë ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Gjatë marrjes në pyetje, Shehu ka rrëfyer me detaje të gjithë itinerarin e udhëtimit dhe mënyrën se si e kishte marrë valixhen. Ai deklaroi se kishte pranuar të kryente këtë udhëtim për një shpërblim prej 2 milionë lekësh të vjetra dhe se nuk kishte dijeni për përmbajtjen e çantës. Sipas tij, një person i huaj ia dorëzoi valixhen në një hotel të prenotuar në Tajlandë. Pas këtij takimi, Shehu u nis drejt Dubait dhe më pas për në Shqipëri, duke pohuar se nuk u kontrollua nga autoritetet në asnjë pikë të udhëtimit.
Pavarësisht bashkëpunimit të pjesshëm me hetuesit, ai nuk ka zbuluar identitetin e personave që e porositën dhe financuan këtë veprimtari të paligjshme.