U gjet i plagosur rëndë në hyrje të banesës, ndërron jetë efektivi i policisë

Një efektiv i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, është vrarë me armë zjarri në Kaçanik. Ai u gjet i plagosur rëndë në hyrje të ndërtesës së tij në rrugën “Idriz Seferi” rreth orës 23:00 të së martës dhe ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Sipas Policisë së Kosovës, viktima u transportua në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik, ku mjekët konstatuan vdekjen e tij. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, deklaroi se ekipet hetimore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të vrasjes.

“Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK). Hetuesit dhe krimteknikët rajonal kanë nisur ekzaminimet e nevojshme, por ende nuk dihen motivet e ngjarjes”, tha Veseli.

Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime intensive për të identifikuar autorët dhe rrethanat që çuan në vrasjen e efektivit Muhamet Lika.