U gjet i pajetë nga shokët në krevat, detaje nga vdekja e 20-vjeçarit në konviktin e Gjirokastrës/ Dyshohet për mbidozë medikamentesh
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Gjirokastrës, ku një 20-vjeçar është gjetur i pajetë në mjediset e një shkolle private. Viktima është identifikuar si Simon Sholla nga Lushnja, ish-nxënës i shkollës ortodokse “Kryqi i Nderuar”, i cili kishte ardhur për të kaluar disa ditë në ambientet e konviktit ku kishte përfunduar më parë studimet.
Sipas burimeve, ai është gjetur pa jetë në shtratin e konviktit mëngjesin e sotëm nga shokët e tij. Pranë trupit të të ndjerit janë gjetur medikamente të dyshuara si antidepresantë, duke ngritur dyshime për një mbidozë. Policia bën me dije se trupi i Simon Shollës është transportuar në morgun e qytetit për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore, e cila pritet të konfirmojë nëse ai ka humbur jetën për shkaqe natyrale apo nga mbidoza e medikamenteve.
Policia ka dhënë detaje shtesë lidhur me ngjarjen:
“Më datë 16.01.2025, rreth orës 09:55, në tualetet e konviktit të një shkolle private, në lagjen ‘11 Janari’, është gjetur pa shenja jete dhe pa shenja dhune shtetasi S. Sh., 21 vjeç, banues në Durrës. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e mbidozës së ilaçeve që 21-vjeçari merrte për shkak të depresionit.”