“U fut në koma mjekësore, s’dihej a do të kthehej” – Edi Rama rrëfen momentin dramatik kur djali i tij Greg u diagnostikua me kancer
Një nga momentet më të errëta të jetës së tij personale është rikthyer në kujtesën e kryeministrit Edi Rama, gjatë një bisede të ngrohtë me Kryepeshkopin Joan në podcastin “Flasim”. Në mënyrë të sinqertë dhe emocionale, Rama foli për ditët kur djali i tij Greg u përball me një diagnozë të rëndë: kancer.
Kreu i qeverisë tregoi se gjendja e Gregut u përkeqësua aq shumë, sa mjekët u detyruan ta vendosnin në koma mjekësore. “Faktikisht gjërat shkuan aq keq sa u fut në një koma mjekësore farmaceutike”, tha ai, duke theksuar se ajo ishte një kohë ankthi të papërshkrueshëm.
Rama rikujtoi bisedën me mjeken që kuronte djalin e tij: “Më tha, ’24 orët e para çdo lajm do të jetë një lajm i keq. Urojmë që të mos kemi asnjë lajm’”. Ai pranoi se nuk dihej nëse djali do të rikthehej në jetë dhe e përshkroi këtë periudhë si “dramatike”, me 24 orët e para që për të ishin “të tmerrshme”.
Edi Rama: Më rikthehet një ngjarje e jetuar me mjeken që kuronte tim bir, i cili kaloi një moment mjaft dramatik me një kancer, edhe faktikisht gjërat shkuan aq keq sa u fut në një koma mjekësore famaceutike, edhe nuk dihej a do të kthehej apo jo. Isha me të përballë pas futjes në koma dhe i them “Po tani?” Më thotë “24 orët e para çdo lajm do të jetë një lajm i keq, urojmë që sdo kemi asnjë lajm”.
24 orët e para tmerr, në çdo moment mund të ndodhë që të dalë dikush nga ajo zona e reaminacionit e të thotë… kur i them “ si vazhdon?”. Ajo ngre kokën dhe bën me dorë? I thashë ‘çfarë po më tregon tavanin, unë po flas me një shkencëtare, jo me një prift’. Dhe më thotë “Në këtë kat, (ishte kati i fëmijëve me kancer) unë kam parë gjëra që shkenca nuk mi ka shpjeguar dot akoma”.
Kishte një Kapelë spitali dhe ajo sillte njoftime që në x orë unë bashkë me ekipin do të lutemi për Gregun, ose e bënin edhe për fëmijë të tjerë.
I thashë ‘çfarë është kjo histori që shkoni e lutemi në Kapelë, çfarë lidhje ka kjo me terapinë”. Më thoshe që “e kemi të nevojshme, ndihemi shumë mirë kur e bëjmë, marrim energji”. ishte qartësisht një njeri që besonte, por thoshte quaje si të duash, unë di që ka mister dhe nga ajo zonë e misterit vijnë në këtë kat gjëra që nuk i parashikon dot ose nuk i shpjegojmë dot më mbrapa.