U ekzekutua në atentat mafioz, i jepet lamtumira nën masa të rrepta sigurie babait të Roan Brahimit! Kontrollet e policisë tek familjet rivale të 32-vjeçarit, armikut të Ervis Martinajt

Nën masa të rrepta sigurie, iu dha lamtumira e fundit Gjovalin Prendit, babait të Roan Brahimit, një prej emrave më të përfolur të botës së krimit në Shqipëri, i cili u vra në një atentat mafioz në Athinë në maj të vitit 2024. Gjovalin Prendi, 64 vjeç, u ekzekutua mbrëmjen e së enjtes (17 prill) në ambientet e biznesit të tij në Pllanë të Lezhës, dhe sot (19 prill) u përcoll për në banesën e fundit.

Duke marrë parasysh historinë kriminale të të birit dhe përplasjet e ashpra që ai kishte me disa nga grupet më të rrezikshme kriminale në vend, policia vendosi masa të shtuara sigurie gjatë gjithë ceremonisë mortore, për të shmangur çdo incident të mundshëm apo ndonjë atentat të dytë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se policia ka ushtruar kontrolle të befasishme në të paktën 5 familje që konsiderohen si rivale të të ndjerit Roan Brahimi, përfshirë edhe familjarë të Ervis Martinajt, “mbretit të zhdukur të kumarit”, me të cilin Brahimi kishte pasur një konflikt të fortë dhe të vazhdueshëm.

Një nga ndalesat e para të hetuesve ishte fisi Reçi në Mirditë, me të cilët Roan Brahimi dyshohej se kishte lidhje të drejtpërdrejta, duke vepruar për llogari të fisit rival Gjini në këmbim të pagesave. Konfliktet mes dy fiseve kanë shkaktuar ndër vite disa viktima nga të dyja palët.

Në fokus të kontrolleve ishte edhe familja e Ervis Martinajt dhe e kushërinjve të tij, për shkak se Brahimi ishte përfolur si një prej të dyshuarve për atentatin e bujshëm në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku humbën jetën Brilant Martinaj dhe dy miqtë e tij.

Një tjetër pistë që po hetohet lidhet me një ngjarje në fshatin Gurrëz të Kurbinit, ku Brahimi akuzohet për atentatin ndaj Ardian Gjeloshit, biznesmen, ku mbeti i plagosur vetë Gjeloshi ndërsa u vra aksidentalisht ekonomisti Selman Mihana. Në kuadër të kësaj ngjarjeje, policia ka kryer kontrolle edhe në banesat e familjarëve të Gjeloshit.

Po ashtu, hetuesit kanë kontrolluar edhe shtëpinë e Ylli Brahjas (alias Brahimi), kushëriri i gruas së parë të Roanit. 32-vjeçari dyshohej se i kishte bërë atentat duke e lënë të plagosur, ndërsa në ngjarje mbeti i vrarë Klisman Preci, një i ri që nuk kishte lidhje me konfliktin. Roan Brahimi e akuzonte kushëririn e ish-gruas se e kishte “shitur” tek Martinajt, të cilët më pas e kishin dhunuar në mënyrë çnjerëzore në një nga bizneset e tyre.

Pavarësisht hetimeve të zgjeruara dhe kontrolleve të shumta, policia ende nuk ka identifikuar autorët e atentatit ndaj Gjovalin Prendit. Ngjarja është cilësuar si vazhdim i sagës së hakmarrjeve dhe larjes së hesapeve mes grupeve kriminale rivale.