U ekzekutua me tre plumba në qafë, identifikohet profesori i vrarë në Greqi! Dyshohet se u qëllua nga ish-partneri i të dashurës
Është identifikuar viktima e vrasjes së ndodhur mesditën e djeshme në rrugën “Eirinis” në lagjen Agia Paraskevi të Athinës, Greqi. Bëhet fjalë për një 43-vjeçar me origjinë norvegjeze, profesor dhe baba i dy fëmijëve, i cili u qëllua për vdekje me të paktën tre plumba në qafë.
Sipas raportimeve të mediave greke, identifikimi i viktimës u bë përmes çelësave që mbante me vete si dhe dëshmive të personave të pranishëm në zonën ku ndodhi ngjarja. Ai mësohet të ketë qenë i lidhur prej disa kohësh me një grua greke, ish-partneri i së cilës dyshohet se është autori kryesor i këtij krimi të rëndë.
Dëshmitarët okularë kanë treguar se autori, i cili ishte veshur me rroba të zeza dhe mbante maskë, qëlloi disa herë me armë drejt viktimës dhe më pas u largua me vrap në drejtim të rrugës “Evergetou Giavasis”. Deri më tani nuk ka të dhëna të qarta nëse kishte një mjet transporti të parkuar afër apo nëse ishte i ndihmuar nga ndonjë bashkëpunëtor për t’u larguar nga vendngjarja.
Autoritetet greke kanë nisur një hetim intensiv dhe janë në kërkim të autorit, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik. Sipas burimeve nga policia, viktima nuk kishte asnjë precedent penal dhe nuk kishte pasur asnjëherë kontakte me autoritetet ligjzbatuese, çka përforcon pistën e një vrasjeje për motive xhelozie.