U ekstradua nga Dubai, GJKKO lë në burg Florenc Çapjan
Gjykata e Posaçme la në qeli Florenc Çapjan, të shumëkërkuarin e drejtësisë i cili u deportua pak ditë më parë nga Dubai drejt Tiranës për llogari të autoriteteve shqiptare.
Çapja u la në masën “arrest në burg” për veprën penale “sigurim i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje” , kryer në bashkëpunim në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari. Përpara togave të zeza, Çapja i cili ishte në arrati prej 7 vitesh, mohoi të kishte lidhje me ngjarjen ku është tentuar vrasja e Sokol Sanxhaktarit, duke i kërkuar prokurorisë të gjejë prova për të vërtetuar akuzën e ngritur ndaj tij.
Mbrojtësi ligjor i Çapjas paraqiti në sekretari një procesverbal të një seance të procesit “Plumbi i Artë”, ku ka dëshmuar bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani. Procesverbali përmban disa pasazhe në të cilat është përmendur Florenc Çapja nga bashkëpunëtori i drejtësisë.
Përveç ekspozimit të tii në dosjen “Plumbi i Artë”, Florenc Çapja është dënuar me burg përjetë me vendim të formës së prerë për vrasjen e Gentjan dhe Nezir Beqirit, ngjarje e shënuar në 2012 në Elbasan.
Ai po ashtu akuzohet edhe për vrasjen e oficerit Fadil Mema në vitin 2006. Gjykata e Elbasanit pushoi çështjen ndaj tij me argumentin se nuk gjeti prova të mjaftueshme për ta implikuar Çapjan në këtë ngjarje, vendim që u la në fuqi edhe nga gjykata e Durrësit. Vendimi u rekursua nga prokuroria në Gjykatën e Lartë, teksa me vendim të shkallës së tretë të gjyqsorit kjo çështje është rikthyer sërish për rigjykim në Elbasan.