U dhunua për gjyqin e pronës, avokat Mëngjesi vijon në intubim, skaneri tregon ulje të ënjtjes në tru, sot do bëhet zgjimi gradual

Gjendja shëndetësore e avokatit Sokol Mëngjesi është përmirësuar disi, pas gjashtë ditësh që qëndron në koma.

Skaneri që u bë sot tregon gjendje të stabilizuar. Ka nisur sot tentativa për ta zgjuar duke ulur medikamentet që e mbajnë në gjumë, por ky proces pritet të zgjasë.

Shefi i shërbimit te neurokirurgjisë Prof. Fatos Olldashi i kontaktuar nga gazetarja e Top Channel Alma Demiraj konfirmoi gjendjen shëndetësore të avokatit.

Avokati u godit pasi la djalin e tij në kopsht. Nga 4 autorët e dyshuar të sulmit, ku 3 goditën avokatin dhe njëri i transportoi në pranga ka rënë vetëm një.

Dorian Aliaj u vetëdorëzua mbrëmjen e dy ditëve më parë dhe ka folur para grupit hetimor. Sipas tij, ai dhe Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku nuk e kishin planifikuar sulmin ndaj avokatit.

Nga ana tjetër i ndaluari me iniciativë të policisë Dritan Nano, i cili sipas policisë dyshohet si organizator i sulmit ndaj avokatit ka mbajtur qëndrim mohues duke e përjashtuar veten nga kjo ngjarje.